Draft i ri – disa probleme të vjetra

Të hënën Ministria e Integrimeve Evropiane ka dërguar te një pjesë e shoqërisë civile një draft të ri të Draft-ligjit për përgjimin e komunikimeve elektronike, pas komenteve që janë bërë në draftin e parë. Drafti i dërguar është ky (gabim) në fakt ky. Më poshtë është përgjigja që e kam dërguar në MIE.

E nderuar Ministri e Integrimeve Evropiane,

Po ju shkruaj në lidhje me Draft-ligjin për përgjimin e komunikimeve publike të dërguar për konsultim te disa organizata të shoqërisë civile me datë 7 prill. Në përgjithësi ky është një draft shumë më preciz juridik dhe me përparime të dukshme. Fatkeqësisht, disa shqetësime të ngritura herën e kaluar ende mbesin.

Së pari, kam një ankesë procedurale. Vetëm një numër i vogël nga shoqëria civile është përfshirë në konsultimin publik përkundër faktit që kjo fushë prek të drejtat themelore të njeriut. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KLMDNJ), duhet të jenë pjesë kyçe e këtij debati. Edhe pse unë kam dërguar komente herën e kaluar, jam detyruar ta siguroj draftin e amandamentuar përmes palëve tjera.

Kushtetuta e Kosovës ia ka kushtuar një nen të plotë privatësisë. Paragrafi 3.1 i Kushtetutës thotë: “Fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër, është e drejtë e pacenueshme. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të vendimit gjyqësor, nëse është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale ose për mbrojtjen e vendit, në mënyrën e parashikuar me ligj.

Të kalojmë te baza tjetër ligjore duke filluar me çështjen e mbajtjes së të dhënave (Neni 12 – Kategoritë e të dhënave që duhet ruajtur). Më 8 prill, Gjykata e Drejtësisë e BE-së përmes vendimit në rastet e bashkuara C-293/12 dhe C-594/12 ka shpallur të pavlefshme Direktivën 2006/24/EC për mbajtjen e të dhënave (termi “ruajtje” që përdorët në draft nuk është më i sakti i mundshëm). Kjo Direktivë ka qenë shtyllë e ligjit. Po i përmendi disa paragraf kryesor nga vendimi i Gjykatës sepse Gjykata ka trajtuar edhe përgjimet në përgjithësi, e jo vetëm mbajtjen e të dhënave.

Gjykata thekson se kërkesa për të mbajtur të dhënat dhe pastaj për t’i bërë ato të qasshme për autoritetet kombëtare “ngre pyetje në lidhje me respektimin e jetës private dhe të komunikimit në bazë të nenit 7 të Kartës [së BE-së për të Drejtat Themelore], mbrojtjen e të dhënave personale sipas nenit 8 të Kartës dhe të respektimit të lirisë së shprehjes në bazë të Nenit 11 të Kartës (para 25).

Në vendim, Gjykata, duke iu referuar Direktivës, thekson se ajo “së pari, mbulon në mënyrë të përgjithësuar të gjithë personat dhe të gjitha mjetet e komunikimit elektronik si dhe të gjitha të dhënat e trafikut  pa  çfarëdo dallimi, kufizimi ose përjashtimi duke u bërë në dritën e objektivit të luftës kundër krimeve të rënda” (para. 57).  Pastaj, “Mbi të gjitha, qasja nga autoritetet kompetente kombëtare të dhënat e pashpërndara nuk bëhet e varur nga një rishikim paraprak i kryer nga një gjykatë ose nga një organ i pavarur administrativ vendimi i të cilit kërkohet për të kufizuar qasjen në të dhënat dhe përdorimin e tyre për sa është e domosdoshme me qëllim të arritjesqëllimi të synuar dhe i cili ndërhyn pas një kërkese të arsyetuar të këtyre autoriteteve të paraqitura në kuadrin e procedurave të parandalimit, zbulimit apo ndjekjeve penale” (para. 62).

Gjykata e citon deklaratën e Avokatit të Përgjithshëm:Fakti që të dhënat ruhen dhe pastaj përdoren pa pajtimin ose informimin e përdoruesit të regjistruar ka gjasa të gjeneroj në mendjen e personave në fjalë një ndjenjë se jeta e tyre private është subjekt i mbikëqyrjes të vazhdueshme” (para. 37).  Keni parasysh që Gjykata po adreson vetëm metatëdhënat këtu. Gjykata vlerëson se duke adoptuar Direktivën, “legjislativi i BE-së ka tejkaluar kufijtë që imponon parimi i proporcionalitetit (para. 69). Me këtë mund të përfundohet se vëzhgimi i përgjithshëm i qytetarëve të padyshuar për krime të rënda pa autorizim të Gjykatës nuk është as i nevojshëm e as proporcional.

Ashtu siç edhe thuhet shpesh nga vet BE-ja, Kosova ka probleme me sundimin e ligjit dhe kontrollin demokratik të ekzekutivit nga Kuvendi. Standardet e diskutueshme individuale të BE-së bëhen edhe me te diskutueshme në Kosovë ku standardet e kontrollit demokratik dhe gjyqësorit nuk janë arritur paralelisht.

Ne e inkurajojmë sponsorin e këtij draft-ligji të vlerësoj draftin karshi 13 Parimeve Ndërkombëtare mbi Zbatimin e të Drejtave të Njeriut në Përgjimin e Komunikimeve të mbështetura nga mbi 400 organizata të shoqërisë civile dhe mbi 50 ekspertë ligjorë dhe akademik nga e gjithë bota, disa prej të cilave janë mishëruar edhe në Kushtetutën e Kosovës.  Kyçe mes tyre është e drejta e palëve të përgjuara për t’u informuar se kanë qenë të përgjuar kur ky përgjim nuk i shërben më ndjekjes penale.

Nuk është marrë parasysh as rekomandimi që të sigurohet transparenca e softuerit përmes publikimit të kodit për të siguruar që pajisjet do të jenë në shërbim vetëm të palëve të autorizuara e jo edhe palëve të treta. Gjatë viteve 2004-2005 është zbuluar që një palë e tretë ka instaluar softuer të përgjimit në një central telefonik në Greqi duke përgjuar telefonat e rreth 100 zyrtarëve të lartë grek, duke përfshirë kryeministrin dhe shumë ministra. Kush do të siguroj që softueri i instaluar për përgjim të ligjshëm nuk do të kontrollohet nga palë të treta?

Duke krijuar interfejsa të ri paralel e të pakontrollueshëm të qasjes në komunikime ky ligj e rritë ekspozimin ndaj ndërhyrjeve të jashtme por në të njëjtën kohë i lejon operatorët të operojnë me praktikat standarde të sigurisë. AKI përmes zgjidhjes teknike poashtu praktikisht do të ketë mundësinë të përgjoj e pakontrolluar.

Për shkeljet, ky projekt-ligj vendos standarde të dyfishta. Parasheh dënime substanciale vetëm për operatorët për shkeljet që dëmtojnë sigurinë kombëtare por kërkon vetëm masa standarde të sigurisë dhe nuk parasheh ndëshkime për shkelje që cenojnë privatësinë e qytetarëve të cilat mund të jenë rrjedhojë edhe e standardeve që do t’i përcaktoj vet AKI-ja për vetveten, e për të cilën nuk parashihet kurrfarë dënimi.

Për përfundim:

Duke konsideruar që e drejta për privatësi është e drejtë themelore e mbrojtur me Kushtetutën e Kosovës, kërkojmë edhe njëherë që:

– Të merren parasysh Parimet Ndërkombëtare mbi Zbatimin e të Drejtave të Njeriut në Përgjimin e Komunikimeve për të siguruar nivel të lartë të mbrojtjes në përputhje me kontekstin e zhvillimit demokratik e ligjor të Kosovës.

– Duke konsideruar edhe vendimin e GJDBE-së, të hiqet mbajtja e përgjithshme e të dhënave si jo-proporcionale me qëllimet.

– Të hiqet interfejsi paralel për përgjim për AKI-në sepse kjo efektivisht do të thotë qasje e pakontrolluar për këtë organizatë.

– Shkeljes së privatësisë së qytetarëve t’i jepet e njëjta peshë me dëmin që mund t’i shkaktohet hulumtimeve të krimeve dhe sigurisë publike. Për shkak se do të hapen vektor të ri të sulmit, zgjidhjet teknike për mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve duhet të jenë më të larta se ato të zakonshmet që përdorën nga operatorët.

– Standardet e sigurisë të vendosen nga një organizatë e tretë si ARKEP e cila ka kapacitetin teknik për t’i kuptuar problemet dhe në transparencë të plotë ndaj publikut. Softueri të jetë i hapur për të siguruar që bënë atë për të cilin është dedikuar.

Me nderime,

Arianit Dobroshi

Anëtar i Bordit Ekzekutiv të FLOSS Kosova

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.