Çka tash për Aeroportin e Prishtinës

Kosova si vend me rrugë tokësore nga veriu në mëshirën e Serbisë, dhe me atë jugore të tërthortë dhe ende të pandërtuar, duhet të punoj më shumë në zhvillimin e trafikut ajror.

Në njëfarë mënyre, aviacioni paraqet për komunikacionin e vendeve të varfra çka telefonia mobile paraqet për telekomunikacionin. Një teknologji e lartë që mundëson kapërcimin e mungesës së infrastrukturës drejt zhvillimit të hovshëm.

Kosova për shkak të diasporës së saj, investitorëve potencial e pse jo edhe turizmit duhet të bëj më shumë për zhvillimin e aviacionit. Çka nënkupton aviacioni për Kosovën? Si industri intensive në kapital, teknologji dhe rrezik, Kosova duhet të fokusohet në rolin ekonomik që kryen ky transport për një vend të izoluar. Duke e marrë parasysh këtë interes kyç, atëherë edhe krijimi i politikave përkatëse bëhet më i qartë.

Nëse Kosova për momentin nuk mund të ketë kompani ajrore të veten, dhe po e njëjta ka nevojë për ta afruar vetveten me botën, atëherë opsioni i dytë më i mirë është që të krijohet një treg me taksa të ulëta aeroportuale dhe aeronaviguese ashtu që të joshen sa më shumë linja ajrore që të ofrojnë shërbime në këtë treg.

Shërbimet e tanishme në Aeroportin e Prishtinës lënë shumë për të dëshiruar si në nivelin e çmimeve ashtu edhe të kualitetit. Për nëntë vite (me përjashtim të muajve të fundit kur është vërejt një lëvizje) është bërë shumë pak në ngritjen e kapaciteteve të këtij aeroporti, që shpjegohet edhe me faktin që 40% të shpenzimeve kapitale prej €50 milionëve gjer tani janë përdorur për miqtë tanë islandez. Mos ta përmendi terminalin e arritjes apo banjat publike në vendin ku për herë të parë pritet të shkel këmba e një investitori potencial.

Çmimet e biletave nga Evropa për në Kosovë janë shpesh më të larta se ato ndër-Atlantike. Shpesh fluturimet janë indirekte dhe jo të përditshme. Linjat janë çarter, d.m.th jo të rregullta, që pjesërisht është arsyeja për çmimet e larta. Po ashtu, ka një koncentrim të tregut nga Gjermania, e tregje të tjera që shërbehen vetëm me nga një kompani ajrore.

Licenca që e morri aeroporti para disa ditësh e certifikon aeroportin si teknikisht të sigurtë për fluturime. Ajo licencë nuk thotë asgjë për një sërë gjërash të cilat unë po i përmendi këtu e me të cilat tash e tutje duhet të merret menaxhmeti i këtij aeroporti.

Të ballafaquar me rënie ekonomike, çmime të larta të naftës, dhe tani edhe një dollar të forcuar, tregu i kompanive ajrore në Evropë do të ndryshoj shumë duke u krijuar 3-4 gjigant që do të gllabërojnë kompanitë e rangut të mesëm të drejtuar respektivisht nga British Airways, Air France-KLM dhe Lufthansa si dhe 2-3 bartës buxhetor si Ryanair dhe EasyJet. Një numër i kompanive të tjera ose do të dështojnë ose do të bëhen pre e liderëve të tanishëm. Fytyra e re e bartësve evropian do të jetë shumë më e konsoliduar. Shërbimet ajrore do të tkurren në ato më të domosdoshmet dhe më profitabilet për të lejuar mbijetesën.

Qëllimi i Kosovës dhe i aeroportit të saj të vetëm duhet të jetë tërheqja e kompanive buxhetore (low-cost carrier) si Ryanair dhe EasyJet të njohura për çmimet e ulëta. Kur është e mundur, këto fluturime duhet të ofrojnë lidhje dytësore të mjaftueshme për në destinacione të tjera, si për shërbim më të gjerë të udhëtarëve ashtu edhe të mundësohet përditshmëria e këtyre fluturimeve drejt Prishtinës. E theksoj se është kritike për biznesin që për një investitor apo menaxher të vij në Kosovë në mëngjes e të kthehet në mbrëmje në shtëpi. Përditshmëria e fluturimeve, e jo vetëm gjatë verës, e ven në lëvizje një dinamikë krejt tjetër për gatishmërinë për biznes të Kosovës.

Për të tërhequr kompanitë ajrore buxhetore, duhet të ulen taksat aeroportuale dhe të ngritën shërbimet duke filluar me kohën që avionët e kalojnë në tokë. E për t’u ulur taksat, duhet të ulen shpenzimet e tanishme në aeroport, që mund të kompensohen me të ardhura alternative nga shërbimet në terminal që në aeroportet moderne sillen prej 30-60%.

I këshilloj liderët politikë të Kosovës që gjatë kyçjes së kapitalit privat në aeroport të mos e shohin atë si një aset të zakonshëm. Aeroporti nuk duhet të shihet si mënyrë e drejtpërdrejtë për të fituar maksimumin nga ai apo për uljen e papunësisë në Kosovë. Megjithëse me një politikë të mençur, ato do të jenë vetëm dy prej rezultateve të një aeroporti të suksesshëm.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.