Këtë vikend Prishtina bëhet nikoqire e konferencës softuerike

Më 25 dhe 26 shtator Prishtina do të jetë nikoqire për herë të dytë e Konferencës Kosovare të Lirisë Softuerike. SFK10 organizohet nga FLOSS Kosova dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) i Universitetit të Prishtinës.

SFK09 e mbajtur vitin e kaluar u vizitua nga rreth 500 persona të cilët ndoqën rreth 40 ligjërata nga  25 ligjërues. Kësaj here konference do të jetë më e fokusuar: do të këtë 24 ligjërata nga Kosova, regjioni dhe bota. Ligjëruesit kryesor dhe njëherit mysafir nderi të kësaj konference janë hakerat me renome si Leon Shiman, Rob Savoye, Mikel Maron dhe Peter Salus. Shiman është anëtar bordi i Fondacionit që mbikëqyr zhvillimin e sistemit grafik për Linux dhe BSD – x.org, dhe pronar i firmës konsulente Shiman Associates. Savoye është zhvilluesi primar i Gnash ndërsa më parë ka zhvilluar edhe për Debian, Red Hat dhe Yahoo. Savoye programon që nga viti 1977. Maron specializohet në programim të aplikacioneve të bazuara në gjeografi dhe lokacion. Maron është anëtar bordi i OpenStreeMap Foundation, një shërbim i ngjashëm me Google Maps. Salus është një linguist, shkencëtar kompjuterik dhe historian i teknologjisë. Ai ka punuar profesor dhe dekan në disa universitete. Por kjo është vetëm ajka e programit i cili është përgatitur duke iu falënderuar një pune pothuajse një vjeçare të komitetit organizativ.

Tema të tjera do të ofrojnë për të gjithë nga pak: Milot Shala do të demonstroj drejtpërdrejtë zhvillimin në Qt Framework të Nokia-s, Martin Bekkelund do të tregoj praktikat norvegjeze me kodin burimor të hapur (open source) në administratën shtetërore, Baki Goxhaj do të flas për WordPress, Marco Fioretti do të tregoj si gjuhët programuese skriptuese mund të përdoren në shkolla. Temat tjera janë Wikipedia, CAD, përdorimi i fondeve të EU-s në Open Source, platforma për fëmijë Sugar, sistemet CMS për universitete, platforma Android, etj.

Konferenca do të mbahet në mjediset e FIEK-ut. Regjistrimi pa pagesë fillon të shtunën në ora 09:00 ndërsa programi gjatë të dy ditëve fillon në ora 10:00. Konferenca përkrahet financiarisht nga Zyra e Kryeministrit, Rrota, PC World Albanian dhe OpenWorld.al. Për më shumë shiqo http://kosovasoftwarefreedom.org

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.